Pse sot në Kosovë kemi aq shumë nevojë për një kuptim radikal të demokracisë dhe politikës demokratike? Apo, çka mund të mësojmë nga Mouffe dhe Laclau?
Në një kohë kur në Kosovë, gjithnjë e më shumë, po ofrohen projekte konfigurimi e rikonfigurimi, qoftë nga OKB, qoftë nga Qeveria Serbe që me ngulm po kërkon ndarjen funksionale të Kosovës, e ndërkohë që pretendenti i sovranitetit, Qeveria e Kosovës, vetëm po bën spektatorin apolitik që asnjëherë nuk merr mundin të ofroj projektet e veta politike, nuk mund të mos konstatoj nevojën për t’ju kthyer dy eksponentëve kryesor të teorisë së demokracisë radikale—Chantal Mouffe dhe Ernesto Laclau. Nëse dikush sot ka nevojë për të lexuar këta dy teoricienë politik, këta janë qeveritarët tonë. Pse?
Duke ju kundërpërgjigjur konstatimit nga disa teoricienë politik dhe sociolog se jemi duke jetuar në një botë post-politike dhe post-ideologjike ku përplasjet mes së majtës dhe së djathtës kanë, pothuajse, pushuar së ekzistuari, Chantal Mouffe dhe Ernesto Laclau argumentojnë për nevojën për të kuptuar politikën demokratike si një ndërmarrje gjithmonë të zhytur në antagonizëm. Sipas Mouffe, të pretendosh se kemi lëvizur “matanë së majtës dhe së djathtës”, siç pretendon Anthony Giddens ta zëmë, do të thotë të mohosh vetë politikën. Politika nuk është asgjë tjetër pos luftë projektesh hegjemonike, sipas Mouffe, dhe prandaj të flasësh për një realitet matanë të majtës dhe të djathtës do të thotë të mohosh vetë atë çfarë e bën politikën politikë: përplasja e vizioneve të ndryshme që pretendojnë të bëhen hegjemon, pra të plotfuqishëm dhe të pazëvendësueshëm. Duke e kuptuar politikën si luftë projektesh hegjemonike, Mouffe pretendon që ne jo vetëm që i afrohemi më shumë të vërtetës, por e zgjidhim edhe problemin e apatisë qyetatare që ka kapluar shumë shoqëri perëndimore si rezultat i reduktimit të politikës në aktivitet konsensual rreth projektit hegjemonik neo-liberal. Asnjëherë pa dashur për të mohuar realitetin që shumë nga teoricienët politik i shtyu për të shpallur vdekjen e politikës dhe ideologjisë (përfundimi i luftës së ftohtë, lëvizja nga qendra e shumicës së partive politike në Europë, lidhja e koalicioneve mes partive të djathta dhe të majta), Mouffe dëshiron të tregojë dy gjëra: 1) pse politika si antagonizëm nuk ka vdekur, dhe, më e rëndësishmja 2) pse të lavdëruarit e një politike matanë së majtës dhe së djathtës, jo që nuk sjell ndonjë dobi për politikën demokratike, por e rrezikon vetë atë në mënyrën më të rrezikshme të mundshme. Se politikja dhe politika nuk kanë vdekur në këto kohëra tona që disa pa ngurrim i kanë emëruar post-politike dhe post-ideologjike e vërtetojnë zhvillimet politike në të dy rrafshet: atë të politikës kombëtare dhe atë të politikës ndërkombëtare. Sipas Mouffe, asnjëherë pa dashur për të sugjeruar që ky është i vetmi shpjegues i këtyre zhvillimeve komplekse politike e shoqërore, lëvizja matanë së majtës dhe së djathtës dhe pajtimi i pakusht rreth projektit hegjemonik neoliberal që ka mbyllur mundësitë për artikulimin e alternativave brenda sistemit, ka çuar tek lindja dhe suksesi i partive ksenofobike të ekstremit të djathtë (kjo në rrafshin e politikës kombëtare) dhe terrorizmi (kjo në rrafshin e politikës ndërkombëtare). Se sa të dëmshme për mundësinë e zhvillimit të një politike demokratike janë këto dy zhvillime besoj e kemi parë të gjithë: urrejtja racore si dhe terrorizmi dhe kontra-terrorizmi bëhen format kryesore të të bërit politikë, e me këtë, siç vë re me të drejtë Mouffe, tjetri në politikë nuk shihet më si kundërshtar legjitim politik (siç ishte dikur kur politika zhvillohej në relacionin majtë-djathtë) por si vetë armiku që në rastin më të mirë do burgosur, e në rastin më të keq, likuiduar fizikisht.
Për të plotësuar Mouffe-n, eksponenti tjetër i teorisë së demokracisë radikale, teoricieni politik Ernesto Laclau, konstaton se politika demokratike nuk është asgjë tjetër pos një insistim i vazhdueshëm për të fiksuar domethënie. Çka do thotë me këtë Laclau? Sipas Laclaut, politika demokratike karakterizohet nga një luftë e vazhdueshme mes projektesh hegjemonike për të fiksuar domethënien e “shënjuesve të zbrazët” (empty signifiers). Një shembull i një shënjuesi të zbrazët është, ta zëmë, fraza e dëgjuar shpesh “liri dhe barazi për të gjithë”. Kjo frazë përbën një shënjues të zbrazët sepse është e hapur për interpretim, dhe është pikërisht dëshira për të dominuar interpretimin e këtij shënjuesi të zbrazët, pra për ta “mbushur” atë me vizione të qarta politike, ajo që përbën vetë politikën demokratike. Janë projektet e ndryshme hegjemonike ato që luftojnë për të dominuar interpretimin e këtyre shënjuesve të zbrazët: të djathtët, ta zëmë, tradicionalisht kanë definuar lirinë si ndarje e shtetit nga ekonomia dhe tregu i lirë, përderisa të majtët kanë bërë mu të kundërten. Kjo është arsyeja, sipas Laclaut, se pse shënjuesit e zbrazët kanë rëndësi të posaçme në politikë. Nga ky konceptim i politikës si luftë mes projektesh hegjemonike me qëllim të dominimit të domethënies së shënjuesit të zbrazët rrjedh natyrshëm që politika do karakterizohet nga një përjashtim i vazhdueshëm: projektet e ndryshme hegjemonike ne luftë e sipër do mundohen të përjashtojnë njëra tjetrën për të dal fitues. Por, siç ka vënë re me të drejtë filozofi slloven Slavoj Zizek, ky nuk është i vetmi lloj përjashtimi që do të karakterizoj politikën demokratike. Një tjetër përjashtim, shumë më i padukshëm, jo vetëm që shoqëron çdo luftë projektesh hegjemonike, por e mundëson vetë këtë luftë dhe me këtë edhe të kuptuarit e politikës demokratike si një ndërmarrje radikale që e pranon që vendi i fuqisë është i zbrazët dhe që demokracia është një projekt i hapur. Sipas Zizek, ky është përjashtimi i “objektit fantazmatik”. Ky objekti fantazmatik, më konkretisht dhe në një rrafsh politik, përbën një tjetër projekt a vizion politik, por që për rendin aktual socio-simbolik, është i papranueshëm dhe do shtypur me çdo kusht. Ky është ai përjashtimi esencial, padukshmëria e të cilit, sipas Zizek, pamundëson pajtimin tonë me principet e një demokracie me karakter radikal që e pranon se politika demokratike është nje luftë projektesh hegjemonike dhe se kemi të bëjmë me zbrastësi dhe plot pasiguri kur flasim për demokracinë ose politikën demokratike, dhe jo me një projekt të mbyllur njëherë e përgjithmonë që fillon e përfundon me kutinë e votimit, siç rëndom mendohet për demokracinë. Paradoski, pra, siç po vëjmë re, ka të bëjë me atë që përjashtimi nga diskursi ose rendi dominant socio-simbolik i objektit fantazmatik është kushti që mundëson vetë luftën mes projekteve hegjemonike dominante, por në të njëjten kohë, padukshmëria e këtij përjashtimi është ajo çfarë na parandalon të vijmë tek pranimi i principeve të demokracisë radikale që na ofrojnë Mouffe e Laclau. Kështu, paradoksalisht, përjashtimi i objektit fantazmatik nga rendi dominant diskursiv e socio-simbolik është edhe mundësuesi edhe pamundësuesi i një demokracie radikale.
Duke parë se si elita jonë politike në Kosovë është katandisur si jo më keq në një nënshtrim total ndaj projekteve të huaja hegjemonike që duan të mbushin sipas vizionit të tyre domethënien e shënjuesve të zbrazët si liria, demokracia e barazia, nuk mund të mos konstatoj nevojën menjëhershme që kemi për të kuptuar demokracinë dhe politikën demokratike si luftë projektesh hegjemonike që mundohen të etablojnë vetën e tyre si të pazëvendësueshme. Qeveritarët tonë me urgjencë duhet të edukohen për të kuptuar politikën ashtu siç Mouffe dhe Laclau na e definojnë. Duke e kuptuar kështu politikën demokratike, qeveritarët tonë më në fund do të kuptojnë që përballë një projekti politik të parashutuar nga jashtë që mundohet të na e barazojë lirinë, demokracinë dhe barazinë me Pakon e Ahtisaarit, ata duhet të ofrojnë një projekt alternativ që do të jetë në interesin e vendit dhe të popullit e jo të përqafojnë me nënshtrim interpretimet e ofruara të shënjuesve të zbrazët. Kjo, në fund të fundit, më në fund do i shndërronte këta përfaqësuesit tonë në politikanë, në përfaqësues politik, sepse kështu siç i kemi ata janë vetë shembulli tipik i qenieve apolitike. Kjo sjellje apolitike nga përfaqësuesit shqiptarë, atëherë, solli vetë braktisjen e projektit politik kombëtar që lirinë për shqiptarët gjithmonë e kishte barazuar me të drejtën për vetëvendosje. Më saktë, ajo çfarë kemi parë të ndodh në këto vitet e pasluftës është shndërrimi i vetëvendosjes si qëllim politik në vetë objektin fantazmatik që do shtypur vazhdimisht. Rikthimi i vetëvendosjes si qëllim politik përmes aktivitetit të LëvizjesVetëvendosje, ndërkaq, ka treguar se sa i urryer është objekti fantazmatik dhe deri ku është në gjendje të shkoj pushteti për të shtypur dhe shfarosur atë—ky rikthim është i dhimbshëm sepse paraqet vetë rikthimin e së shtypurës për të cilën flet Freudi (‘the return of the repressed’). Paradoksale në këtë mes është që përjashtimi i objektit fantazmatik nga rendi dominant politik në rastin e Kosovës nuk është se përbën ndonjë paradoks për teorinë dhe praktikën radikale demokratike, ashtu siç e kuptuam këtë paradoks më sipër: pra, fakti që në njërën anë përjashtimi i objektit fantazmatik nga diskursi dominant mundëson vetë garën mes projekteve hegjemonike dominante majtiste e djathtiste për fiksim të domethënies së shënjuesve të zbrazët, e në anën tjetër padukshmëria e këtij përjashtimi pamundëson realizimin dhe pranimin e principeve të një karakteri radikal demokratik që do të vë në dukje se demokracia është një projekt i hapur. Përkundrazi. Paradoksi shuhet në rastin e Kosovës: përjashtimi i projektit për vetëvendosje në Kosovë vetëm sa dëmton praktikën demokratike dhe të kuptuarit e drejtë të demokracisë; ky përjashtim nuk është se mundëson ndonjë garë mes projekteve hegjemonike në nivel strukturash shtetërore sepse në atë nivel ekziston vetëm një projekt hegjemonik i parashutuar nga jashtë që nuk sfidohet nga përfaqësuesit shqiptarë, kurse për sa i përket mundësimit të ndonjë përplasjeje mes vizioneve të majta e të djathta as që mund të flasim akoma. E tëra që përjashtimi i vetëvendojses nga rendi dominant politik ka mundësuar në Kosovë është ruajtja e një pushteti të zhveshur fuqish e kompetencash nga klasa jonë apolitike dhe zhvlerësimi total i demokracisë ose politikës demokratike.
Si pasojë e këtij përjashtimi kategorik të vetëvendosjes si projekt politik, e gjithë barra e argumentimit dhe ofrimit të një projekti alternativ politik i ka rënë Lëvizjes Vetëvendosje, koncepti dhe aktiviteti politik i së cilës, duke qenë vetë objekti fantazmatik, urrehet dhe përndjeket pa pushim nga autoritetet e shtetit, pa kursyer edhe jetën e aktivistëve, siç ndodhi në protestën e 10 shkurtit të vitit të kaluar. Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje, duke mos pasur pushtetin, pra duke vepruar jashtë shtetit, është në një luftë të pabarabartë me strukturat shtetërore të cilat kanë nën kontroll shumë më shumë resurse sesa ajo. Në këto kushte, i vetmi ballafaqim i vërtetë politik në Kosovë po ndodh mes një strukture të tërë shteti dhe një lëvizjeje civile. E kjo thotë shumë për atë se sa e vështirë, por dhe sa e nevojshme është lufta e demokratëve radikal nga Lëvizja Vetëvendosje që kanë marrë për obligim të subjektifikojnë vetë objektin fantazmatik, për shtypjen e vazhdueshme të së cilit punon një strukturë e tërë shtetërore. Aktiviteti i Lëvizjes Vetëvendosje, faktikisht, paraqet demokraci radikale dhe matanë: Lëvizja Vetëvendosje po kërkon subjektifikimin e asaj që përbën të pasubjektifikueshmën në këto rrethana. Duke qenë shumë e vendosur në misionin e saj, Lëvizja Vetëvendosje po na tregon pse definimi i shpeshtë i politikës si arti i së mundshmes është shumë i qëlluar.
botuar tek e përditshmja Express, 4 korrik 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment