Demokracia radikale = ‘cheguevarizëm’
Rreth shkrimit “Demokracia radikale dhe e drejta për vetëvendosje si objekti fantazmatik” të Gent Carrabregut, Gazeta Express, 4 korrik 2008
E martë, 22 korrik 2008
Halil Matoshi
Gent Carrabregu nuk ka ditë qysh t’ia bëjë ndonjë hajr lëvizjes “VETËVENDOSJE!”, (që megjithë elanin, dijen dhe vullnetin, kjo lëvizje është katandisë në anarkizëm), pos që t’i racionalizojë veprimet dhe mendësinë e saj “kundër shtatë krajlive” perms teorive moderne politike. Të kërkosh që kosovarët t’i rikthen kuptimit radikal të demokracisë që në esencë është një “socializëm elitar”, kjo d.m.th. t’u kërkosh atyre të shndërrohen në sadomazohistë, e ta rimundojnë ( jo rimendojnë!?) vetën dhe të tjerët, deri në zhdukje fizike. Praktika duhet të ndërtohet gjithmonë mbi një teori të mirë thoshte Da Vinçi. Po çfarë teorie ofron autori kundër apatisë së klasës politike kosovare? Qysh në fillim të shekullit 20 Ortega Y Gasset fliste mbi njeriun-masë dhe “misionin historic të demokracisë radikale” duke e kuptuar atë si socializëm. Nëse dihet se lideri i lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti angazhohet për zgjidhje revolucionare të çështjes së Kosovës, kjo d.m.th. se demokracia radikale për të cilën angazhohet dhe e glorifikon Gent Carrabregu, nuk e përjashton dhunën, në emër të interesave më të larta të popullit si abstraksion, ose të kombit si parim, në dëm të interesave të shtetit si realitet. Nëse edhe e glorifikojmë revolucionin – thotë Y Gasset – këtë e bëjmë duke shpresuar se revolucioni paraqet vlera të larta kulturore dhe jo vetëm akte destruksioni; s’ka dyshim që revolucionet, shfaqin edhe atë se sa është i padrejtë rendi ekzistues, aq kriminal sa që arsyeton “të bëmat e pakëndshme të revolucionit”. Demokracia sipas observimeve elitare (aristokratike) të Y Gasset, vet për veti është armike e lirisë, dhe me peshën e vet çon kah absolutizmi i shumicës. Në mbështetje të kësaj teze, Y Gasset citon Tocqueville’in dhe Aristotelin se vërtet demokracia radikale është një tirani, por më më shumë tiranë.
Duke definuar demokracinë Giovani Sartori shkruan se demokraci komuniste kurrë nuk ka pasë (gjysmë shekulli është manipuluar me tezën se ekzistojnë dy demokraci, ajo perëndimore dhe komuniste) as që mundet me pasë, sepse ka vetëm një demokraci e ajo është demokracia liberale. Sartori nuk i bindet teorisë së Berry Holdenit për pesë bërthama të teorive demokratike, asaj radikale, neoradikale, pluraliste, elitare dhe liberal-demokratike.
Sartori vëren se teoria e demokracisë (në njëjës) është , në thelb, një: teoria e demokracisë liberale. Pra sipas tij, e vetmja teori e plotë e demokracisë, që është njëkohësisht a) përshkruese normative, por edhe b) shndërrimi i teorisë në praktikë, është sot teoria e shtetit liberal-demokratik.
Sëkëndejmi “Che Guevarizmi” i Lëvizjes “VETËVENDOSJE!” nuk garanton asgjë më shumë se tirani me disa tiranë (elita revolucionare), për më tepër kjo shpie në dhunë “të arsyeshme”, në emër të luftës kundër një pushteti të pamoralshëm, të keq.
Ernesto Che Guevara si ‘socialist elitar’ doktrinën e tij të eksportimit të revolucionit e mbështeste në tezën se për të pasur sukses revolucioni nuk është e domosdoshme mbështetja e gjerë në masat popullore, mjafton që një elitë këmbëngulëse ta kryej revolucionin dhe t’ia imponojë me lehtësi të padurueshme konceptin e vet elitar – të dhunshëm - një shoqërie. Pajtohem me autorin se Qeveria e Kosovës, vetëm po bën spektatorin apolitik që asnjëherë nuk merr mundin të ofrojë projektet e veta politike, (që nuk i ka, sepse aty askush nuk mendon) por në një shoqëri paskonfliktuale dhe autoritare (ish-komuniste) siç është shoqëria kosovare thirrja në ndihmë e eksponentëve kryesor të teorisë së demokracisë radikale - Chantal Mouffe dhe Ernesto Laclau është pa efekt, madje kundërefektive. Kosovarëve u duhet një demokraci
liberale sipas idealit britanik ose amerikan (sepse demokracia e shumicës që deputetët i shndërron në makina votimi për partinë e jo për solucionin më të mirë për qytetarin është bërë ngulfatësi më i madh i lirisë qytetare.
Demokracia në Kosovë nuk mund të jap rezultate nëse atë nuk e derivon një elitë politike e kulturore apo nëse nuk e derivojnë subjektet politike përmes ligjvënësve të pavarur nga partitë.
Autori aludon se zgjidhja për apatinë qytetare qëndron në masivizimin e politikës, pra në aksionin direkt të pakicës së zgjedhur për ta disiplinuar vulgus’in (demos’in) pra për ta ngritë masën në këmbë, sipas motos së revistës së Lustalovit (Familja e shenjtë, Marx&Engels) që thotë: “Të mëdhenjtë na duken të mëdhenj, vetëm pse ne rrimë të gjunjëzuar. Të ngritemi...”.
Pajtohem se politikja dhe politika nuk kanë vdekur (si luftë projektesh hegjemoniake) por demokracia radikale (e majta elitare) nuk është shpëtimi nga mbyllja e mundësive për artikulimin e alternativave brenda sistemit, por nuk mund të pajtohem se kjo ka çuar tek lindja dhe suksesi i partive ksenofobike të ekstremit të djathtë (kjo në rrafshin e politikës kombëtare) dhe terrorizmi (kjo në rrafshin e politikës ndërkombëtare). Madje sa i përket
kësaj të dytës, terrorizmit global, mendoj se është pikërisht prodhim i një ‘marksizmi islamist” ose një islami politik, përderisa ksenofobia dhe ekstremizmi i djathtë është në rënie në Europë, për dallim nga rritja që pati shënuar në vitet ’90.
Autori duke folur për përjashtimin e vetëvendsojes nga “letrat” politike kosovare mendon se me këtë është dëmtuar projekti kombëtar i shqiptarëve, por ai nuk na e thotë se cili paskësh qenë ose na qenka ky projekt kombëtar i shqiptarëve: Shteti i pavarur i Kosovës, bashkimi i shqiptarëve në një shtet të madh, integrimet në NATO dhe BE...?
Mirëpo, përjashtimin e projektit kombëtar shqiptar (nëse me këtë autori nënkupton bashkimin me Shqipërinë) e bëri realpolitika e fuqive botërore e jo përfaqësuesit politik të Kosovës e të Shqipërisë. Pajtohem se aktiviteti i Lëvizjes Vetëvendosje!, faktikisht, paraqet demokraci radikale por jo matanë, sepse është brenda (të së majtës revolucionare), pra siç e thotë vetë autori, brenda demokracisë radikale. Mirëpo autori ka një kundërthënie kur flet për lëvizjen e vetme civile, sepse demokratët radikalë të kësaj lëvizjeje e kanë hedhur matanë civis’in duke iu rikthyer etnonacionalizmit. “Duke qenë shumë e vendosur në misionin e saj, Lëvizja Vetëvendosje!, po na tregon pse definimi i shpeshtë i politikës si arti i së mundshmes është shumë i qëlluar”, shkruan autori, por e njëjta mund të thuhet për konceptin ‘apolitik” siç e cilëson autori, të qeverisë kosovare, sepse ‘apolitika’ e kësaj qeverisjeje po dëshmon më së miri se vërtet politika është art i së mundshmes”, shkruan Carrabregu.
Misioni i kësaj lëvizjeje është lufta ndaj projektit Ahtisaarian, përmes aksionit direkt, që sipas Y Gasset është sinonim për dhunën. “Aksioni direkt është Charta Magna e barbarisë pra e masës që merr pjesë në jetën publike vetëm përmes dhunës duke shmangur kështu idenë tradicionale evropiane të civis’it, të qytetarit dhe civilizimit për jetën në bashkësi. Nëse përjashtojmë Pakon e Ahtisaarit, si të imponuar nga faktori i huaj, sipas rezonit të Carrebregut, kjo d.m.th. se kosovarët janë kundër projektit hegjemoniak të ShBA’ve në Ballkan (pra kundër “hegjemonisë qëllimmirë” sipas Robert Kagan’it) që në kuptimin e realpolitikës ka ofruar një zgjidhje të dizajnuar mjeshtërisht, në atë mënyrë për Kosovën, që askujt të mos i merret asgjë e ndieshme dhe të mos i jepet po ashtu asgjë e ndieshme. Që të mos ketë humbës të trishtuem dhe fitues të dalldisun! E çka ka mujtë më shumë Kosova dhe shoqëria kosovare? Për më pak dhe më keq e di.
botuar tek Express, 22 korrik 2008
e shtunë, 2 gusht 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment