e diel, 8 shkurt 2009

Trashëgimia e 10 shkurtit

Apo, si 10 shkurti i vitit 2007 na ilustroi më së miri betejën mes dy paradigmave të kuptimit të politikës demokratike: paradigmës emancipuese të demokracisë qytetare në veprim, në njërën anë, dhe paradigmës totalitare të zonës së përjashtimit, në anën tjetër?


Në dyvjetorin e 10 shkurtit 2007— datës që shënoi protestën masive më të njohur në historinë më të re të Kosovës—thirrja për t’ju kthyer çështjes së rëndësisë politike të saj në historinë më të re politike të Kosovës është më insistuese se kurrë. Ajo që ndodhi më 10 shkurt, ndonëse një ngjarje që mund të shpjegohet më së thjeshti në një kontekst politik vetëm kosovar, i tejkalon kufijtë e një beteje të izoluar kosovare. Pra, ndonëse vështrimi strikt kontekstual i kësaj ngjarje është i domosdoshëm për të kuptuar në detaje atë që ndodhi atë ditë, jehona e mesazhit politik të 10 shkurtit ka edhe një dimension shumë universal që do konstatuar. Nëse paska dy mënyra vështrimi të kësaj ngjarjeje—vështrimi strikt kontekstual (pra, lokal) dhe vështrimi universal—çfarë nënkupton secili prej këtyre vështrimeve, pse insistimi në dimensionin universal është një formë e rëndësishme rezistence, dhe si përfundim, si duhet të na udhëheq në të ardhmen trashëgimia emancipuese e protestës së 10 shkurtit?

Vështrimi i kësaj ngjarje me syzet e një realiteti të veçantë politik kosovar na ofron një tabllo të pasur historike të rrethanave politike që sollën deri tek 10 shkurti dhe asaj që ndodhi konkretisht atë ditë. Konteksti politik në të cilin 10 shkurti mori kuptim ishte ai i negociatave të pafundme për statusin mes bashkësisë ndërkombëtare, qeverisë serbe, dhe një grupi të emëruar që përfaqësonte shqiptarët e Kosovës, e që paskrupullësisht e quante veten “Ekipi i Unitetit” kur i vetmi unitet që përfaqësonte ishte uniteti rreth bërjes së historisë personale dhe kapitalizimit të mëvonshëm elektoral të saj. Në fillim të vitit 2007, negociatat që kishin hyrë në vitin e dytë të tyre sollën edhe kurorëzimin në formën e një pakoje që po ofronte gjithçka (anashkalim të vullnetit popullor, ndarje në baza etnike, legjitimim të pushtetit serb në Kosovë) pos të drejtës për vetëvendosje dhe sovranitetit popullor. Në rrethana të këtilla, Lëvizja Vetëvendosje!, e vetmja lëvizje qytetare që bënte dhe bën opozitën e vërtetë ndaj rendit dominant politiko-juridik, vendosi që të përgjigjej edhe një herë me një protestë masive që në mënyrë paqësore do tregonte pakënaqësinë e qytetarëve me atë që po ndodhte. Qëllimi paqësor i Lëvizjes Vetëvendosje! nuk gjeti një përgjigje reciproke: përkundrazi, forcat policore nën komandën ndërkombëtare, status që u jepte imunitet ndaj ligjit në zbatim të të cilit vepronin, reaguan dhunshëm duke vrarë dy e plagosur qindra aktivistë. Reagimi ironik zyrtar pas asaj që ndodhi, siç do pritur nga struktura pushteti jodemokratike, pohonte se forca policore e përdorur ndaj protestuesve kishte qenë proporcionalisht korresponduese.

Kjo tabllo kontekstuale e ankoruar lokalisht e 10 shkurtit 2007 është e domosodshme sepse vetëm duke pasur një kuptim të rrethanave politike specifikisht kosovare, në të cilat mori trajtë ajo protestë, mund të vijmë tek një kuptim më i informuar i saj. Megjithatë, një tabllo e tillë vetëm kontekstuale është e pamjaftueshme për të shpjeguar mesazhin politik, që i kapërcen kufijtë kosovar, të kësaj ngjarje. Për më tepër, një interpretim strikt kontekstual i kësaj ngjarje i konvenon shumë strukturave pushtetmbajtëse që gjithmonë e kanë më të lehtë të absorbojnë kërkesa demokratike partikulare që nuk mbartin me vete ndonjë mesazh politik më universal. Ilustrimi më i mirë i kësaj është arsyetimi që i bëhej kërkesës për pavarësi të Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e që u përbi pa asnjë vërejtje nga pushteti vendor, gjatë gjithë procesit negociator: për dallim prej Lëvizjes Vetëvendosje!, që me të drejtë bënte thirrje që lufta e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi të shihej si pjesë e historisë së betejave çlirimtare për vetëvendosje të popujve të shtypur gjithandej botës, strukturat pushtetmbajtëse insistonin që e njëjta kërkesë të shihej si diçka krejt e veçantë—pra, “sui generis”. Sui-generizimi i kërkesave demokratike është një projekt hegjemonik me prapavijë të pastër politike që pushteteve u konvenon gjithmonë sepse ju mundëson t’i trajtojnë ato si raste të izoluara, dhe si të tilla, t’i menaxhojnë më lehtë përmes ripërshkrimit të tyre sipas kategorive të interesit pushtetor. Së këndejmi, të shoqëruarit e tabllos së mësipërme kontekstuale të 10 shkurtit me një interpretim të mesazhit universal politik që u dërgua atë ditë bëhet një formë e domodoshme rezistence. Cili, atëherë, është ky kuptim universal i 10 shkurtit?

Ajo që ndodhi më 10 shkurt të vitit 2007 në Prishtinë ishte as më pak e as më shumë se ballafaqimi i dy paradigmave të ndryshme të kuptimit të politikës demokratike: paradigmës totalitare të zonës së përjashtimit (shembull ekstrem i së cilës është kampi i përqendrimit) që Kosovën e ka shndërruar në një zonë që ekziston mu në kufirin mes të paligjshmës dhe të ligjshmës, të përfaqësuar nga struktura pushtetmbajtëse, në njërën anë, dhe paradigmës emancipuese të demokracisë qytetare në veprim, të përfaqësuar nga Lëvizja Vetëvendosje!, në anën tjetër. Teza e Giorgio Agamben se është paradigma e kampit të përqendrimit, ose zonës së përjashtimit, ajo që më së miri ilustron gjendjen e sotme të politikës demokratike në shoqëritë perëndimore, më 10 shkurt përjetoi në Prishtinë aktualizimin e saj në formën e një shembulli shkollor. Dhuna policore e ushtruar nga policët rumun, që përfaqësonin sovranin që po zbatonte ligjin para së cilit nuk është vetë i përgjegjshëm, rezonon fuqishëm, siç do pajtohej Agamben, me atë që ndodh në kampin e përqendrimit (si zonë përjashtimi) ku pikërisht policia e merr në dorë politikbërjen, duke prodhuar “jetën e zhveshur” (ose jetën vrasja e së cilës nuk përbën akt të dënueshëm) si pasojë automatike të funksionimit të vetë. Ajo që ndodhi më 10 shkurt ishte vetëm një ekspozim i qartë i kësaj logjike sepse Kosova ishte bërë një zonë përjashtimi e ekzagjeruar që prej pasluftës, kur u instalua një pushtet ndërkombëtar që nuk i përgjigjej ligjit që e zbatonte dhe që kosovarin e trajtonte si banor dhe jo si qytetar. E ekzagjeruar për faktin se, ndonëse prodhimi i zonave të përjashtimit dhe jetës së zhveshur përbën aktivitetin që është në natyrën e brendshme të funksionimit të përhershëm të logjikës së sovranitetit në çdo vend, në rastin e Kosovës ne ishim dhe mbesim të privuar edhe nga autorësia (sado fiktive që mund të jetë kjo edhe në demokracitë e konsoliduara) mbi atë sovranitet—sovrantiteti ishte dhe mbetet i ankoruar formalisht e praktikisht në marrëveshje koordinimi mes elitave pushtetmbajtëse vendore dhe ndërkombëtare, dhe jo në vullnet popullor.

Dhe çfarë ofroi si alternativë ndaj kësaj paradigme Lëvizja Vetëvendosje! më 10 shkurt? Lëvizja Vetëvendosje! ofroi paradigmën emancipuese të demokracisë qytetare në veprim, që do thotë se protestuesit e 10 shkurtit vendosën të marrin në pronësi statusin prej qytetari demokratik që po ju mohohej hapur për vite të tëra. Duke bërë kështu, ata i thanë në mënyrën më kuptimplotë pushtetit se “ne nuk jemi banorë apo refugjatë, siç na keni klasifikuar në dokumenta të identifikimit, por qytetarë”. Sipas paradigmës emancipuese të demokracisë qytetare në veprim të drejtat nuk priten për t’u dhuruar nga dikush, por ato merren përmes formave të aksionit paqësor demokratik. Të veprosh demokratikisht, na përkujtoi protesta e 10 shkurtit, do thotë të refuzosh statusin që të është caktuar (banor, refugjat) dhe të marrësh atë që e meriton (qytetar)—ose siç do thoshte Jacques Ranciere, të kalosh nga të qenit i panumëruar si qenie me të drejtë fjale në qenie që imponohet për t’u numëruar si e tillë.

Nëse trashëgimia e 10 shkurtit është ajo e një beteje me vlera universale dhe emancipuese, çfarë mbetet për të bërë në të ardhmen që ta ruajmë atë? Beteja që pamë të zhvillohet më 10 shkurt të vitit 2007, dhe kjo duhet përsëritur, është një betejë e papërfunduar. Ndonëse Kosova shpalli pavarësinë para një viti, ajo pavarësi nuk ka prodhuar akoma as sovranitetin popullor e as qytetarinë demokratike si formë superiore të veprimit politik. Me ardhjen e EULEX-it dhe komplikimin e mëtejmë të skemës së pushtetit jollogaridhënës në Kosovë, nevoja për qytetari aktive vetëm sa është shtuar. Prandaj, trashëgimia pozitive e rezistencës paqësore përmes aksionit direkt demokratik që na ofron 10 shkurti duhet të vazhdojë të na frymëzojë. Ndërkohë, protestën paqësore demokratike duhet ta shoqërojmë me rezistencë edhe në nivel diskursiv duke ia kundërvënë dimensionin universal të betejës për subjektivitet demokratik tendencës hegjemonike të pushtetit për sui-generizim të çdo kërkese demokratike.

botuar tek Express, 10 shkurt 2009