Apo, pse “double-speak-u” Orwellian është e vetmja formë ligjërimi politik që garanton mbijetesë politike në Kosovë? Si dhe, çfarë është mësimi produktiv që do nxjerrë nga përplasja e fundit mes Qeverisë dhe EULEX/ICO?
Që prej ndërhyrjes policore në Ministrinë e Transportit të gjithë pushtet-mbajtësit—qoftë këta të Qeverisë së Kosovës, qoftë të strukturave të huaja (EULEX, ICO)—na flasin pa pushim për atë sesi politika nuk duhet t’i ndërhyjë sundimit të ligjit dhe drejtësisë në punët e veta. EULEX-i e bën këtë për të arsyetuar ndërhyrjen e vetë të paparalajmëruar në zyrat dhe pronat e Ministrit Limaj, ndërkohë që Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi e bëjnë të njëjtin argument për të kritikuar të njëjtën ndërhyrje si të padrejtë dhe denigruese. Drejtësia dhe sundimi i ligjit na dalin përnjëherë si një preokupim kaq i rëndësishëm dhe kaq afërzemre i pushtetmbajtësve tonë. Në këto ligjërime politike të ditëve të fundit, sundimi i ligjit dhe drejtësia na shfaqen si terme reciprokisht të zëvendësueshme dhe ndonëse që të dy kampet—EULEX/ICO dhe Qeveria Thaçi—ftojnë për mosndërhyrje të politikës në sundim të ligjit/drejtësi, të dyja na ofrojnë interpretimet e veta shumë politike të sundimit të ligjit/drejtësisë. Për EULEX-in, sundimi i ligjit dhe lufta për drejtësi na shfaqen më së bukuri në aksione policore të tipit që pamë me rastin e ndërhyrjes në Ministrinë e Transportit dhe kurrsesi, ta zëmë, në shtrirjen e kontrollit në veri të vendit ose në luftën kundër strukturave kriminale paralele serbe. Ndërkaq që për Qeverinë Thaçi sundimi i ligjit dhe lufta për drejtësi na shfaqen më së miri në përndjekjen e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje!, por kurrsesi në shtrirjen e sovrantitetit në veri të vendit, e aq më pak në cenim të sovrantitetit të zyrave të Ministrisë së Transportit—në fakt, siç po del nga reagimi i ashpër i Thaçit kundër ndërhyrjes së EULEX në një nga ministritë e Qeverisë së tij, për Thaçin më i rëndësishëm është sovrantiteti fizik i zyrave të një ministrie, sesa sovrantiteti i vendit që përdhunohet çdo ditë nga Serbia, për ç’gjë Thaçi më nuk lodhet as të reagojë.
Ky ligjërim politik që ka për qëllim të prodhoj tek dëgjuesi aq shumë konfuzion sa ta bëj të besoj njëherazi dy pohime që janë në papërpuethshmëri totale, që Orwelli e kishte identifikuar si “double-speak” në novelën e tij të famshme politike “1984,” nuk është ndonjë risi e as rrallësi në politikë. Njeriu mund observoj çdo ditë shembuj të kësaj dukurie në ligjërimin politik të politikanëve gjithandej botës demokratike. Ajo që Kosovën e bën rast radikal të kësaj dukurie është fakti që jo vetëm që, për dallim nga vendet tjera, pak kush lodhet të protestoj kundër kësaj hipokrizie në ligjërimin politik zyrtar, porse këtu “double-speak” nuk përbën shembull të ligjërimit devijant. Përkundrazi. Në një vend si Kosova, ku gjejnë zbatim disa sisteme politiko-juridike njëherësh (që nga Kushtetuta Ahtisariane, ligjet e Kuvendit të Kosovës, rezoluta 1244, rregulloret e UNMIK-ut, e deri tek ligjet e Serbisë në veri), “doube-speak” bëhet forma më normale e ligjërimit politik. Për më tepër, “double-speak” është në Kosovë shembull i të vetmit ligjërim të inkurajuar dhe të mundshëm politik për ata që bëjnë politikë brenda kornizave të sistemit aktual politiko-juridik. Kur Hashim Thaçi kërkon sundim të ligjit, në rastin më të mirë, ai nënkupton Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që prej 17 shkurtit 2008; kur Peter Feith thirret në sundim të ligjit, ai nënkupton para së gjithash pjesët e Pakos së Ahtisarit ku atij i rezervohen të drejta prej perandori, në mesin e të cilave, për t’ia kujtuar Thaçit të befasuar nga ndërhyrja e ashpër e EULEX/ICO në një nga ministritë e Qeverisë së tij, është edhe e drejta për të shkarkuar ministra e anuluar ligje të miratuara nga Kuvendi; kur Zannieri bën të njëjtën, gjëja e parë që ka ndërmend është rezoluta 1244 dhe rregulloret e UNMIK-ut. Pra, edhe kur pushtetmbajtësit në Kosovë flasin për sundim të ligjit, nuk është aspak e qartë që po flasin për të njëjtin ligj. Në këto kushte, “double-speak” jo vetëm që inkurajohet nga sistemi, po bëhet e vetmja formë e mbijetesës politike. Në këtë konfuzion juridik, të kritikosh pushtetmbajtësit për “double-speak,” është si të fajësosh futbollistin pse po shënon gol me këmbë.
Duke qenë term kaq polivalent në domethënie, sundimi i ligjit në Kosovë është, në fakt, termi më skajshmërisht i politizuar. Përplasjet më të ashpra politike i shohim të bëhen publike, si në rastin më të fundit rreth ndërhyrjes së EULEX në Ministrinë e Transportit, pikërisht rreth interpretimit të sundimit të ligjit, ku intepretues nuk janë gjykatësitë e një Gjykate Kushtetuese të pavarur, por vetë pushtetmbajtësit e përfshirë (Qeveria në njërën anë dhe ICO/ EULEX në anën tjetër) që me sundim të ligjit nënkuptojnë mbrojtje të kompetencave të tyre. Ky politizim i skajshëm i ligjit në këtë rast nuk është ndonjë zhvillim shpresëdhënës në vetvete sepse nuk bëhet fjalë për kontestim në emër të ndonjë drejtësie ideale që nuk realizohet dot brenda kornizave të sistemit aktual politiko-juridik. Përkundrazi, kontestimi i ligjit që bëhet mollë sherri mes Qeverisë dhe EULEX/ICO është kontestim për ruajtje interesash të ngushta pushteti (ndryshe, pse kjo qeveri nuk reagoi asnjëherë kundër përndjekjes së Albin Kurtit?). E megjithatë, në këto kushte, duke e parë qartë edhe përmes vetë sjelljes së pushtetmbajtësve, dhe kjo është gjëja e vetme produktive që del nga ky konflikt mes Qeverisë dhe EULEX/ICO, se sundimi i ligjit nuk është kurrsesi sinonim i drejtësisë, e aq më pak një e dhënë parapolitike që s’mund të kontestohet politikisht, forma më kuptimplotë e rezistencës qytetare bëhet thirrja në drejtësinë që nuk realizohet dot brenda këtij sistemi—drejtësi që më pas do ta nxjerrte ligjin si vullnet popullor, e jo si imponim nga jashtë, siç e kemi tani. Emri i kësaj drejtësie është padyshim parimi i vetëvendosjes—parim që, duke qenë që nuk realizohet dot brenda kornizave të sistemit aktual, po përndiqet pakushtshmërisht nga aparati pushtetmbajtës, i huaj e vendor.
botuar në gazetat Gazeta, Zeri dhe Express, 09 Maj 2010